Qeveria e Shqipërisë ka nisur procesin për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore, e cila do të zbatohet paralelisht dhe do të jetë komplementare me reformën administrativo-territoriale. Kjo strategji do të hartohet në bashkëpunim me Projektin e USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP) dhe synon të thellojë më tej reformën e decentralizimit. Me Urdhërin e Kryeministrit Nr. 69, datë 13.2.2014 është ngritur grupi i punës për hartimin e Strategjisë së re Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore. Ky grup pune përbëhet nga përfaqësues të qeverisjes vendore, shoqatat vendore, përfaqësues të biznesit, shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve.