Programi i Zonave Funksionale (PZF), i zhvilluar si koncept nga dldp, ndërton mbi parimin e funksionaliteti (parim bazë në dizenjimin e reformëes administrative territoriale). Ai prezantohet si instrument për identifikimin e potencialeve të zhvillimit në territorin e Njësive të Reja Vendore, duke synuar mobilizimin e projekteve që do të sigurojnë kohezionin e brendshëm mes territoreve, popullsisë, burimeve, etj. Programi i Zonave Funksionale orienton drejt Planeve të Zhvillimit Strategjik, por në ndryshim nga ato synon të japë disa zgjidhje më të shpejta për problematikat e identifikuara si më të ndjeshme në territorin që do t’u përkasë Bashkive të reja dhe sigurojë parakushtet për zhvillim të qëndrueshëm. Dldp ka zhvilluar Programet e Zonave Funksionale në 8 Zona Funksionale (ose Bashki të reja), në 5 Qarqet e veriut të Shqipërisë, përfshi edhe Qarkun e Dibrës, me dy Zona Funksionale: ZF Dibër dhe ZF Mat. Organizata që ka zbatuar programin në ZF Dibër është Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (www.alcdf.org). Programi përfshin një analizë ekonomike të territorit, një analizë të shërbimeve si dhe një analizë të strukturave administrative. Mbi bazën e analizave janë zhvilluar një numër rekomandimesh, si dhe janë identifikuar disa projekte që kanë karakteristika të zhvillimit ekonomik, përmirësimit të shërbimeve dheqeverisjes. Projektet janë diskutuar në forume të zhvilluara nga organizata zbatuese me grupe të ndryshme interesi. Projektet e identifikuara janë vlerësuar nga grupe të ndryshme qytetare, nga bizneset dhe të zgjedhurit vendor, duke u rankuar sipas një sistemi pikëzimi. Projektet janë vlerësuar gjithashtu edhe nga një juri teknike, me përfaqësues të disa njësive të qeverisjes vendore dhe autoriteteve në nivel qarku e prefekture, duke plotësuar kuadrin e përgjithshëm të vlerësimit qytetar me atë teknik. Projektet e identifikuara do të jenë në dispozicion të Kryetarëve të Bashkive të reja, të cilët do të zgjidhen në zgjedhjet vendore të datës 21 qershor 2015. Këto projekte do të shërbejnë si nxitja e parë, për të ecur në rrugën e konsolidimit të territorit dhe administratave të ardhshme. Vetë Programi i Zonës Funksionale do të jetë një instrument planifikimi strategjik për Bashkitë e reja, duke ofruar një mundësi për t’iu përgjigjur sfidave, që paraqet zbatimi i Reformës Administrative Territoriale, përmes njohjes më të mirë të territorit, mundësive në sektorët me potencial zhvillimi e përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.

Kliko këtu për të shkarkuar prezantimin