Edukimi i vazhduar i administratës publike vendore në planifikimin strategjik dhe sektorial (menaxhimi mbetjeve) përmes menaxhimit të territorit dhe hartëzimit dixhitale
Hotel Tirana International, 9 Mars 2016
Reforma e Administratës Publike, si një prej sfidave por edhe arritjeve të njohura të Qeverisë Shqiptare ka mundësuar shtrirjen e efekteve të veta edhe në pushtetin vendor. Ligji i ri për Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Vendor u njeh ministrive të linjave përgjegjësi në lidhje me politikat e sektorëve që ato mbulojnë. Një bashkërendim i koordinuar i politikave kombëtare me ato vendore i shoqëruar me edukimin e vazhduar të administratës publike është rruga e duhur për fuqizimin e qeverisjes së mirë dhe efektive. Një filozofi të tillë Programi për Zhvillim Lokal dhe Decentralizim (dldp), mbështetur nga Qeveria e Zvicrës në partneritet me Ministrin e Zhvillimit të Territorit dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, lehtësuar përmes Shkollës së Administratës Publike po përpiqet ta kthejë në praktikë e model veprimi.
Aktiviteti në fjalë, synon të prezantojë kursin afatgjatë që Shkolla e Administratës Publike (ASPA) ofron në bashkërendim me Ministrinë e Zhvillimit Urban për çështje të planifikimit strategjik të territorit (në kuadër të zhvillimit të territorit) dhe atij sektorial (në kuadër të planifikimit të menaxhimit të mbetjeve) për 61 Bashkitë e vendit.
Në të njëjtën kohë autoriteteve vendore (kryetarë e ekspertë) do të njihen me avancimin e hartës dixhitale për menaxhimin e mbetjeve, e cila në fund të kursit afatgjatë për edukimin e vazhduar në fushën e menaxhimit të mbetjeve do të mund të pasurohet me të dhëna nga 61 NJQV.
Një model i tillë ndërveprimi për forcimin e kapaciteteve vendore në përgjigje të politikave kombëtare dhe vendore do të vijojë edhe me Ministrinë e Financave dhe atë të Mjedisit, në fusha të tilla si meaxhimi i financave publike dhe trajtimi e menaxhimi efiçent i mbetjeve.
Mbështetje e edukimit të vazhduar të administratës publike, planifikimit strategjik të territorit dhe atij sektorial (shërbimi i mbetjeve) si dhe menaxhimi i financave publike janë sektorë që përfitojnë nga mbështetja bujare e Qeverisë së Zvicrës në nivel vendor dhe kombëtar, përmes dldp.
Objektivi i aktivitetit
- Prezantim i ciklit të trajnimeve për nëpunësit civil të organeve të vetqeverisjes vendore nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike (ASPA) në bashkëpunim me ministritë e linjës, modelit të çertifikimit dhe njohjes së tij në sistemin e karrierës;
- Hapja e ciklit të parë të trajnimeve të thelluara për nëpunësit civil të nivelit lokal, në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane dhe planifikimit strategjik të territorit.
Përshkrimi i aktivitetit
Aktiviteti i parashikuar të zhvillohet mes datave 9-11 Mars 2016, do të mikpritet nga Shkolla Shqiptare e Administratës Publike, me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Zvicrës në Shqipëri z.Christoph Graf, Ministres së Zhvillimit Urban znj.Eglantina Gjermeni dhe kryetarëve të 61 bashkive të vendit së bashku me nëpunësit civil që do t’i nënshtrohen trajnimit.
Aktiviteti është i konceptuar në dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë me prezantimin e modelit të trajnimeve nga ASPA për nëpunësit civil të 61 bashkive të vendit. Duke qënë se Qeveria Zvicerane kontribuon nëpërmjet dldp në ngritjen dhe vënien në zbatim të një modeli inovativ të përfshirjes së nëpunësve civil nga niveli lokal në sistemin e çertifikimit dhe karrierës, prezenca e Ambasadorit Graf garanton mbështetjen e Zvicrës në këtë proces. Sfidat e shumta që kanë dalë si rrjedhojë e reformës administrative territoriale po adresohen nga qeveria qendrore dhe ajo vendore. Planet e përgjithshme vendore dhe planet sektoriale janë një hap i sigurtë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm vendor. Zhvillimi i kapaciteteve lokale për planifikimin lokal të menaxhimit të mbetjeve urbane dhe planifikimin strategjik ndërthuren me objektivat dhe vizionin e Ministrisë së Zhvillimit Urban për kontrollin e territorit. Të gjitha këto elementë do të prezantohen nga Drejtori i Shkollës së Administratës Publike, Ambasadori i Zvicrës dhe Ministrja e Zhvillimit Urban.
Pjesa e dytë e aktivitetit ka të bëjë me fillimin e sesionit të parë të trajnimit për menaxhimit e mbetjeve të ngurta për nëpunësit e 61 bashkive. Ky trajnim është konceptuar të mbulojë gjithë spektrin e procesit të planfikimit, zbatimit dhe monitorimit të menaxhimit të mbetjeve urbane. Trajnimi do të organizohet në 4 module. Këto module do t’u ofrohen nëpunësve të bashkive në trajnime të thelluara 2-3 ditore, çdo dy muaj, për t’u finalizur me procesin e testimit dhe çertifikimit në fund të këtij viti. Katër modulet e trajnimit përfshijnë : 1. Planifikimin lokal të mbetjeve (edhe me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban); 2.Financimi i shërbimit. Llogaritje e kostove dhe tarifave (edhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit); 3.Optimizimi i shërbimit. Riciklimi. Kompostimi dhe komunikimi me qytetarët (edhe me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit). 4.Sistemi i perfomancës dhe benchmarking si një hap drejt vendosjes së standartit minimal të përballueshëm (potencialisht me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Çështjet vendore). Gjatë këtij Kursi 61 NJQV do të aftësohen edhe plotësimin e hartës dixhitale për monitorimin e territorit në fushën e menaxhimit të mbetjeve.
Ky trajnim do të ndiqet nga Kursi për Planifikimin Strategjik të Territorit (me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban) dhe Menaxhimin e Financave Publike (me mbështetjen e Ministrisë së Financave) sipas të njëjtit model
Pjesëmarrës
- Kryetarët e bashkive dhe Nëpunës civil nga 61 bashkitë e vendit
- Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri z.Christoph Graf
- Ministrja e Zhvillimit Urban znj.Eglantina Gjermeni
- Grupi i ekspertëve i përzgjedhur për ofrimin e trajnimit
- Përfaqësues nga dldp, Ambasada e Zvicrës, ministrive të linjës, organizatave partnere të dldp